Prokurori Altin Dumani është zgjedhur zv.drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Lajmi bëhet me dije nga prokuroria e Posaçme e cila thekson se caktimi i Altin Dumanit në funksionin e Zv. Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme ka një afat dy vjeçar.

Njoftimi i SPAK: 

Me datë 10 Qershor 2022 zhvillua mbledhja e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me rend dite : “ Caktimi i Zv. Drejtuesit të Prokurorisë Posaçme”.

Drejtuesi Prokurorisë Posaçme fillimisht mori mendimin e prokurorëve të cilët në mënyrë unanime propozuan që si zv. Drejtues të rizgjidhej prokurori Altin Dumani. Në vijim Drejtuesi i Prokurorisë Posaçme vendosi :”Caktimin e zotit Altin Dumani në funksionin e Zv. Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme për një afat dy vjeçar”.

Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës.

Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda ku ka mbajtur edhe pozicionin e zv.drejtusit deri në vitin 2007.

Po në këtë vit, u transferua në Prokurorinë e Tiranës në pozicionin e zv.drejtuesit në sektorin e krimit ekonomik.

Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe prej fillimit të vitit 2019 u komandua si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda.

Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie edhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.

Njihet si prokurori “i pakompromis”. Altin Dumani u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas tij ishte refuzuar nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje.

Altin Dumani bëri bujë me qëndrimin që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të “Gërdecit” dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008