Rreth 80 vepra artistike mbajnë firmën e tij regjisoriale

Ky ishte përqafimi i fundit që artisti dhe regjisori Pirro Mani ndau 6 vite më parë me miqtë e bashkudhëtarët e tij të artit, teksa u rikthye në atdhe për të vënë në skenë veprën e fundit, teatrin “Njeriu Hibrid.”

I njohur ndryshe si një nga korifenjtë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Pirro Mani u shua në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas rreth 80 vepra artistike që mbajnë firmën e tij si regjisor e aktor.

“Artisti i Popullit” u shua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prej disa vitesh jetonte së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen e tij.

Pirro Mani ishte një nga personalitetet më të shquara në historinë e teatrit shqiptar. Për 25- vite mjeshtri i regjisë dha kontributin e tij në Teatrin Kombëtar, duke vënë në skenë me dhjetëra pjesë.

Jo vetëm teatrit, por edhe kinematografisë do t’i mungojnë idetë e arrira të Pirro Manit, i cili vuri vulën e tij si aktor në disa filma, mes të cilëve spikati tek  “ I teti në bronz” me personazhin e Sali Protopapës. Ndërsa roli i tij i fundit ka qenë në filmin “Barbarët” me regji të Liri Begesë.

Pirro Mani njihet ndryshe si mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës, duke shënuar kulmin e tij në shfaqje si “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj.