Katër dorëshkrime të kompozitorit të famshëm Chopin nga koleksioni i bibliotekës polake “Jagiellonian” do të përfshihen në listën kombëtare të programit “Kujtesa e botës” e UNESCO-s. Partiturat formojnë një bazë editoriale dhe një material të vlefshëm kërkimor. Ato dokumentojnë veprimtarinë muzikore të Fryderyk Chopin, kompozitorit më të madh polak dhe një prej më të rëndësishmëve në historinë e muzikës.

Chopin krijoi konceptin e baladës instrumentale. Veprat e tij për piano përfshijnë gjithashtu mazurkat, valset, nokturne, polonjeze, skerco, prelude dhe sonata, një pjesë janë publikuar vetëm pas vdekjes. Një ndikim të fortë në stilin e tij ishte muzika popullore polake, tradita klasike e J.S. Bach, Mozart dhe Schubert. Risitë e tij në stilin, harmoninë dhe formën muzikore, kishin ndikim gjatë gjithë periudhës së vonë romantike.

Komiteti polak i programit të UNESCO-s, i udhëhequr nga drejtori i Arkivave të Shtetit,  Pawel Pietrzyk, në të cilin ulen përfaqësuesit e bibliotekave më të mëdha polake, arkivave dhe qarqeve akademike, çdo vit zgjedh elementet për listën polake të programit të UNESCO-s.

Elementet e një rëndësie themelore për historinë, kulturën dhe identitetin që do të shtohen në listë, do të shpallen zyrtarisht më 10 Qershor në pallatin “Belweder” në Varshavë.