Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas komenteve të bëra nga Sekretarja e Brendshme e Britanisë se Madhe, Suella Braverman rreth emigrantëve shqiptarë. Në një postim në Twitter, Rama kërkon nga britanikët që të mos diskriminojnë shqiptarët për të justifikuar dështimin e politikave të tyre.

Kreu i qeverisë shprehet se 70 për qind e shqiptarëve që jetojnë sot në Britaninë e Madhe jetonin dikur në Itali ose Greqi kurse 1200 prej tyre janë njerëz të biznesit. Rama i bëri thirrje Britanisë së Bashkuar që në vend që të dënojë të pafajshmit me retorikë krimi, duhet të shtrëngojë sistemet e saj.

Po ashtu, Rama kujton se faktet janë vendimtare dhe po ashtu edhe respekti i ndërsjellë.

EDI RAMA NË TWITTER

“Vënia në shënjestër e shqiptarëve (siç bënë disa me turp kur luftuan për Brexit) si shkaku i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare e bën retorikën e lehtë, por injoron faktet e vështira. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyesni Ajnshtajnin!)

70% e 140,000 shqiptarëve që janë shpërngulur në MB jetonin në Itali dhe Greqi. 1200 prej tyre janë njerëz të biznesit. Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave.

Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta. Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke mos u përgjigjur me një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit.

Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe ka qenë për një kohë shumë të gjatë viktimë e perandorive, ne kurrë nuk kemi pasur tonat. Ne kemi për detyrë të luftojmë krimin në shtëpi dhe po e bëjmë këtë me vendosmëri, pasi bashkëpunojmë ngushtë edhe me të tjerët. Gati për të punuar më afër me Mbretërinë e Bashkuar, por faktet janë vendimtare. Kështu është edhe respekti i ndërsjellë.