Kompania gjermane e prodhimit të makinave, Audi, ka deklaruar se do të futet në Formula 1, duke filluar nga viti 2026.

Audi shpalli ambicien e vet gjatë kësaj fundjave, në Çmimin e Madh të Belgjikës, duke u futur në si një ofrues motorësh, në linjë me rregullat e reja të vendosura nga organizatorët. Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, flitet se Audi do të bashkëpunojë me Sauber në kët ënismë. Vetë prodhuesi i makinave deklaroi se do ta bënte të ditur në fund të vitit me kë të dotë krijonte partneritet.

“Jam shumë i lumtur që mirëpres Audi-n në Formula 1”, tha CEO i F1, Stefano Domenicali. “Është një markë ikonë e prodhimit të makinave, dhe një novatore e pioniere e teknologjisë. Mezi po presim të shohim logon Audi në pistë”.

Shefi ekzekutiv i kompanisë gjermane, Markus Duesmann, dhe shefi teknik, Oliver Hoffmann, konfirmuan afatin e pjesëmarrjes në garat e F1. “Duam të krijojmë aty një histori suksesi, siç kemi bërë në gara të tjera, si Le Mans, DTM apo Formula E”, tha Duesmann.

Në vitin 2026, garave të F1 parashikohet t’u bashkohet edhe Porsche, si partner që do të furnizojë me motorë skuadrën Red Bull.