Disa sulme të njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare në veri të vendit në ditët e fundit po shihen si alarm serioz për sigurinë e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, liderë opozitarë, si dhe ekspertë të sigurisë në Kosovë kanë vlerësuar se këto sulme duhet të trajtohen me seriozitet si tentativë për destabilizim të të gjithë rajonit të Ballkanit, njofton Radio Evropa e Lirë.

Gjithashtu, misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Zyra e BE-së i kanë dënuar sulmet, duke bërë thirrje që të mos bëhen veprime që mund të eskalojnë tensionet në atë zonë.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë. Për të lënduarit nuk është raportuar.

Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Ministri Sveçla, po ashtu, ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”. Ai i ka quajtur këto sulme terroriste.

“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”, ka thënë Sveçla.

Policia e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Edhe në tetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke cituar burimet që kanë identifikuar sulmin e së enjtes, si “të ardhur nga Serbia”, i ka bërë thirrje Serbisë që “të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj Policisë.

Ndërkohë, Blerim Vela, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një reagimi në Twitter ka thënë se këto veprime ndaj Policisë së Kosovë kanë për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë dhe asaj politike në vend.

Kreu i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se “këto akte kriminale janë alarm për të gjithë”, kurse partia tjetër opozitare, Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se ky akt për qëllim ka cenimin e rendit dhe ligjit.

Sulmet “me qëllim destabilizimi”

Përderisa organet e rendit në Kosovë ende nuk kanë dhënë detaje nëse ka ndonjë të dyshuar lidhur me sulmet në veri, ministri Sveçla ka përmendur grupe të caktuara “të mbështetura nga Serbia”.

“Unë mendoj që qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është të sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë Kosovën”, tha Sveçla.

Në anën tjetër, sulmet që u bënë publike të premten i ka quajtur alarmante Edita Tahiri, ish- kryenegociatore në dialogun Kosovë-Serbi. Ajo ka thënë se nuk beson që sulmet lidhen me faktin se brenda ditësh është afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe kosovare që hyjnë dhe dalin nga këto dy shtete.

Sulmet e së premtes në veri të vendit ndaj Policisë së Kosovës janë zhvillime jashtëzakonisht të rrezikshme dhe shqetësuese. Mendoj që vijnë nga qarqe që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe gjithë Ballkanit”, ka theksuar ajo.

Sipas Tahirit, fakti që sulmet kanë ndodhur nën “mjegullën e luftës në Ukrainë”, duhet të jetë alarm për institucionet e vendit.

Lufta në Ukrainë ka nisur pas sulmit që Rusia bëri ndaj fqinjit të saj më 24 shkurt. Që nga ajo kohë, shumë vende perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë. Këtë megjithatë nuk e ka bërë Serbia.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës i ka quajtur të sinkronizuara, profesori i Shkencave të Sigurisë në Kosovë, Avni Islami.

Ai ka thënë, gjithashtu, se sulmet kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, ndërsa ka bërë thirrje që institucionet e vendit të “mos bien pre e provokimeve”.

“Dihet mirëfilli që sulmet e tilla vijnë nga shteti serb dhe unë shumë besoj që ka gisht edhe Rusia, e cila dëshiron që ta shpërqendrojë vëmendjen nga Ukraina dhe të krijojë vatra të reja të krizës”, ka vlerësuar ai.

Sipas Islamit, fakti që disa prej sulmeve janë kryer me granata dhe armë AK-47 do të thotë se incidenti nuk mund të shihet si diçka e izoluar dhe e parëndësishme.

Komuniteti ndërkombëtar: Të shmangen spekulimet që nxisin tensione në veri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilat ndodhën “derisa autoritetet sovrane, përgjegjëse për të mbajtur paqen dhe sigurinë, po i kryenin detyrat e tyre zyrtare”.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të turpshme, të pajustifikueshme”, ka shkruar ambasadori Hovenier në Twitter.

Ai ka paralajmëruar që “të mos bëhen spekulime që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”.

Ambasada e SHBA-së bën thirrje të mos rriten tensionet

BE për sulmin në veri: Të shmangen spekulimet që nxisin tensione në veri

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensione.

Misioni i NATO-s në Kosovë, po ashtu, duke dënuar sulmin, ka konfirmuar gatishmërinë për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet.

Sulmet ndaj institucioneve të Kosovës në veri ndër vite

Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.

Ky rajon ka qenë vatër e tensioneve etnike dhe destabilizimit ndër vite.

Më poshtë janë të listuara vetëm disa nga sulmet ndaj institucioneve ose zyrtarëve të autoriteteve të Kosovës, në komunat veriore.

Më 17 Shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Dy ditë më vonë (më 19 shkurt), serbët lokalë të veriut, i vunë flakët objekteve të vendosura në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak