Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi është shprehur se është i zhgënjyer dhe i pikëlluar nga sjellja e presidentit rus Vladimir Putin, ndaj Ukrainës.

“Unë e kam njohur atë rreth 20 vjet më parë dhe ai gjithmonë më dukej si një demokrat dhe një njeri i paqes,” tha miliarderi 85-vjeçar, duke iu drejtuar një kongresi të partisë së tij konservatore Forza Italia në Romë.

Ai tha se Rusia nuk mund të mohojë apo të ikë nga përgjegjësia për veprimet dhe masakrat që ka bërë në Ukrainë.

“Përballë tmerrit të masakrave të civilëve në Bucha dhe vende të tjera, krimeve të vërteta të luftës, Rusia nuk mund të mohojë përgjegjësitë e saj”, tha ai të shtunën.

Berluskoni, i cili shërbeu si kreu i qeverisë italiane tre herë midis 1994 dhe 2011, më parë ishte përmbajtur nga kritikat publike të Putinit. Kur ishte në pushtet, Berlusconi kishte një miqësi të ngushtë me Putinin dhe e ftoi me pushime në vilën e tij në Sardenjë.