Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 5 dhjetor, ora 10:00, për shqyrtimin e ankimit të bërë nga dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, kundër masave të sigurisë të caktuara ndaj tij për llogari të dosjes “Partizani”.
Në këtë gjykatë, Malltezi kërkon të shfuqizojë masën “arrest në burg” të caktuar ndaj tij në tetor 2023, atë të “arrestit në shtëpi”, caktuar ndaj tij një muaj më vonë, si edhe konfirmimin e saj në Gjykatën e Lartë. Shqyrtimi në Kushtetuese i ankimit të bërë nga Malltezi, i cili vijon të qëndrojë në “arrest në shtëpi”, do të zhvillohet mbi bazë dokumentesh, pa praninë e palëve.
Prej 11 shtatorit, dhëndri i ish-kryeministrit është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë apo të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim dhe “pastrimit të parave”.
Më herët, Kushtetuesja caktoi datën 19 nëntor për shqyrtimin e ankimit të bërë nga ish-kryeministri Berisha ndaj masës së parë “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes nga shteti”. Ish-kryeministri pretendon shkelje të Kushtetutës nga gjykatat, që miratuan kërkesën për caktimin e një mase sigurie ndaj tij pa marrë më herët autorizim nga Kuvendi i Republikës, për shkak të cilësive të tij të veçanta si deputet.
Dy javë më parë, SPAK i komunikoi 5 të pandehurve të dosjes “Partizani” përfundimin e hetimit, ndërsa mori edhe një muaj kohë për t’u njohur me kundështitë e paraqitura nga të pandehurit dhe depozitimin e dosjes në gjykatë për shqyrtimin paraprak. (A2