Mund të jetë “bomba” e merkatos së dimrit dhe nënshkrimi i shekullit. Cristiano Ronaldo i është ofruar Barçës në këtë merkato dimërore, pasi e di që katalanasit janë në kërkim të një golashënuesi. Portugezi kontaktoi Xavi-n disa ditë më parë, falë ndërmjetësimit të Gerard Piqué, mik i të dyve, dhe në orët e fundit, Jorge Mendes ka nisur punën me Joan Laporta për të studiuar realizueshmërinë e operacionit.

Kështu shkruan “Mundo Deportivo”. Marrëdhënia e mirë e agjentit portugez me presidentin e Barçës dhe me Mateu Alemany mund të jetë çelësi për rezultatin e një nënshkrimi, që shumë në klub menduan se ishte shaka. Cristiano nuk është i lumtur në periudhën e tij të dytë në Manchester, pasi United nuk po kalon një sezon të mirë dhe gjithashtu metodat e Ralf Ragnick nuk e bindin portugezin.

Prandaj, ai kontaktoi Piqué, me të cilin ndante dhomën e zhveshjes në Manchester, për të kërkuar kalimin në “Camp Nou”. Qendërmbrojtësi, mes përgatitjes së një edicioni të ri të “World Globes” dhe negociatave me “Rakuten” për të parë nëse ata rinovojnë sponsorizimin me Barçën, pati kohë ta përcjellë dëshirën e Cristianos te Xavi Hernández.

“Golat dhe eksperienca e tij mund të na japin shumë, është e padiskutueshme”, – komentoi Xavi, megjithëse i kërkoi Pique ta pyeste Cristianon nëse e ka të qartë lojën në pozicion. Portugezi është duke lexuar një libër të Laureano Ruiz dhe tashmë ka kontaktuar Joan Vilà, për të lehtësuar përshtatjen e tij me stilin e skuadrës së Barçës.

Laporta, i cili në vitin 2003 testoi Cristiano dhe Quaresma, tani dëshiron të korrigjojë gabimin e tij. Më në fund synon të nënshkruajë me një yll të Manchester United, pas tentativës së dështuar me Beckham në mandatin e tij të pare si president.

Pique, gjithashtu kontaktoi Leo Messin për të zbuluar nëse argjentinasi do të ishte i gatshëm t’i jepte me qira shtëpinë e tij në Gavà, sepse portugezi ishte veçanërisht i emocionuar që kishte shtatë “Topa të Artë” në shtëpi, edhe nëse ato nuk ishin të tijtë. “Nëse kujdeseni për topat dhe nuk merrni asnjë, nuk do të kishte asnjë problem ta jepja shtëpinë me qira”, – tha i habitur Messi.

Pengesa e fundit për nënshkrimin e Cristiano është Javier Tebas, pasi presidenti i La Liga-s nuk e ka fshehur asnjëherë statusin e tij si “madridist”. Edhe pse donte numrin 10, Cristiano do të bëhej CR17, pasi do të trashëgonte numrin që la të lirë Luuk de Jong dhe që po këtë sezon ishte i Rey Manajt.

Edhe pse mund të duket ndryshe, të luajturit në “Europa League” është një motiv shtesë për Cristiano Ronaldon. Nga njëra anë shmang rrezikun që të përballet në Champions League me PSG-në e Messit dhe nga ana tjetër ka mundësi të luftojë për një titull që nuk e ka në “palmaresin” e tij. Cristiano vetëm një herë luajti në Kupën UEFA, në sezonin e tij të fundit te Sporting, por u eliminuan në sprovën e parë nga Partizani i Beogradit.

Portugezi e ka të ngulur atë “gjemb” dhe mendon se tani te Barça mund të aspirojë titullin. Përveç kësaj, ai ka rrëfyer për të afërmit se “Europa League” është një titull që Messi nuk e ka dhe nëse e fiton mund ta kalojë në diçka argjentinasin, siç ka ndodhur tashmë me disa rekorde.

Hera e fundit që Cristiano luajti në “Camp Nou” ishte vitin e kaluar me Juventusin. Ai shënoi dy gola, të dy me penallti, dhe e rriti numrin e golave ​​që ka shënuar ndaj katalanasve në 34 ndeshje: 20 gola.