Nga dita e sotme, 1 korrik, Republika Çeke mori presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian. Çekia do të kryesojë këshillin për 6 muajt e ardhshëm, ndërsa pasoi Francën. Sakaq, Çekia do të pasohet nga Suedia në janar 2023. Së bashku ata formojnë treshen aktuale të presidencës, e cila përcakton synimet afatgjata dhe një program të përbashkët për një periudhë 18-mujore, por secili vend ka gjithashtu prioritetet e veta .

Republika Çeke planifikon të fokusohet në pesë fusha të lidhura ngushtë.

Menaxhimi i krizës së refugjatëve dhe rimëkëmbja e Ukrainës pas luftës

ipas diplomatëve në Bruksel, Çekia do të mbajë si prioritet një varg çështjesh që kanë përshkuar edhe kryesimin francez, e që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë dhe sigurinë e furnizimit me energji.

Një diplomat i lartë evropian tha se Çekia do ta ketë prioritet të rëndësishëm edhe Ballkanin Perëndimor.

Ky burim tha se në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë dhe se kjo vlen edhe për raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Çekia shpreson që gjatë presidencës së saj të ketë edhe përparim konkret rreth Ballkanit Perëndimor – të nisin negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas burimeve diplomatike, nivelet më të larta po punojnë që konferenca e parë ndërqeveritare, me të cilën do të hapeshin simbolikisht negociatat e anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën, të ndodhë para pushimeve të verës – pra, në muajin e parë të kryesimit çek.

Sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën, Çekia, sipas burimeve diplomatike, është e gatshme që këtë vendim ta vendosë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave.

Kjo është hera e dytë që Çekia merr kryesimin e BE-së qëkur është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004.

Herën e parë, ky shtet ka kryesuar në vitin 2009. Gjatë kryesimit të atëhershëm, Qeveria çeke është rrëzuar, por kryesimi i vendit me BE-në është vlerësuar si i suksesshëm.

Diplomatët në Bruksel thonë se nuk janë të sigurt nëse Çekia do të organizojë ndonjë takim të liderëve të BE-së me kolegët nga Ballkani Perëndimor.

Një diplomat i lartë tha se samiti i fundit në Bruksel i BE-së me liderët e rajonit, që është mbajtur javën e kaluar, ka qenë “një dështim aq i madh, saqë tani do të ketë hezitim të organizohet një takim i tillë, nëse nuk ka sinjale të qarta se do të ketë progres konkret” për vendet që aspirojnë integrimin në BE.

Çekia, gjithsesi, do të organizojë një takim të liderëve në Pragë, më 6 tetor, kur do të diskutohet për “Evropë më të gjerë”- pra, për raportet mes BE-së dhe vendeve të tjera evropiane që nuk janë në BE. Por, për formatin e këtij takimi do të vendoset më vonë.