Ukraina ka shkatërruar dy anije patrulluese të Rusisë në ditën e 68 të luftës. Bëhet fjalë për dy mjete lundruese të llojit Raptor që janë goditur pranë ishullit të Gjarpërinjve. Këtë e ka bërë të ditur komandanti i forcave të armatosura ukrainase, gjenerali Valery Zaluzhny.

“Droni luftues Bayraktar funksionon. Së bashku për fitore!”, shkruan ai në Twitter.

Nga ana tjetër, Rusia pretendon se shkatërroi një avion luftarak MiG-29 të Ukrainës në një betejë ajrore në rajonin lindor të Donetskut. Një zëdhënës i ushtrisë së Vladimir Putin, tha se mbrojtja ajrore e goditi atë me dy raketa të llojeve “Tochka-U” nga Luhansku dhe “Smerch” nga Donetsku. Gjithashtu pretendohet dhe shkatërrimi i 10 dronëve ukrainas dhe goditja e 38 shënjestrave ushtarake në Ukrainë, përfshirë depo armësh dhe vendqëndrime të komandës.

Por Kievi zyrtar thotë se në orët e fundit janë ndaluar 10 sulme në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Ushtria ukrainase thotë se kanë shkatërruar disa tanke të Rusisë, 17 sisteme të artilerisë dhe 38 autoblinda. Ndërsa që prej nisjes së luftës, pretendojnë se kanë vrarë 23 mijë e 800 ushtarë të Rusisë.

Prokuroria e Ukrainës ka identifikuar 621 rusë të dyshuar për krime lufte. Ndërsa kryetari i parlamentit të Rusisë tha se krerët e shteteve që armatosin Kievin janë kriminelë lufte.

Vojçeslav Volodin paralajmëroi se vendet europiane të udhëhequra nga Gjermania mund t’i shkaktojnë popujve të tyre probleme të mëdha duke u bërë kështu pjesë e konfliktit.

Ndërkohë, në Mariupolin e shkatërruar nga lufta rinisën operacionet e evakuimit të civilëve pas dakordësisë mes ushtrisë së Kievit dhe Moskës. Disa autobusë po lënë qytetin në drejtim të Zaporizhzhia, ku pritet të mbërrijnë atje mëngjesin e së martës. Situatë tepër e vështirë paraqitet në fabrikën e çelikut Azovstal, ku forcat ruse rinisën bombardimet dhe luftimet.

Autoritetet ukrainase thonë se aty kanë mbetur të bllokuar rreth 200 persona, përfshirë 20 fëmijë. Më herët aty u evakuuan 100 civilë gjatë armëpushimit të dy ditëve të kaluara. Të shpëtuarit nga uzina e çelikut kanë përshkruar se me çfarë u përballën nën rrethim, ku një grua tha se nuk kishte parë rrezet e diellit për dy muaj radhazi.