Policia e Shkodrës ka goditur një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndës narkotike kanabis dhe drogave të tjera të forta.

Në kuadër të operacionit “Vespa” kanë rënë në pranga 4 persona: M. K., 48 vjeç, A. C., 49 vjeç, U. H., 33 vjeç dhe L. K., 16 vjeç, të katërt banues në Shkodër.

Si rezultat i hetimeve proaktive, të kryer në kuadër të një procedimi penal, ka rezultuar se këta shtetas vepronin në formën e grupit kriminal dhe kryenin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Shkodrës.

Gjatë kontrollit fizik këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan lëndë narkotike kokainë dhe kanabis.

Gjithashtu, shtetasit M. K., i cili nga hetimet rezultoi se kishte rolin e organizatorit të këtij grupi kriminal, iu gjet dhe iu sekuestrua edhe një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 elektroshokë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./Abcnews.al/