Covid-19, sëmundja që shkakton koronavirusi, i ka dhënë një goditje të madhe sistemit shëndetësor sa i takon burimeve njerëzore.

Sipas të dhënave të OBSH-së, 80-180 mijë punonjës të shëndetit kanë humbur jetën gjatë pandemisë.

Kjo kategori duhet të ketë prioritet për vaksinimin, tha të enjten shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, teksa kritikoi padrejtësinë në shpërndarjen e vaksinave.

Vdekjet kanë ndodhur në periudhën janar 2020 deri në maj të këtij viti.

Më herët, një tjetër zyrtar i lartë i OBSH-së, ka paralajmëruar se mungesa e vaksinave mund ta vazhdojë pandeminë edhe në vitin e ardhshëm.

Aktualisht në botë besohet se janë 115 milionë punëtorë shëndetësorë.

“Të dhënat nga 119 shtete sugjerojnë se mesatarisht dy në pesë punëtorë shëndetësorë në botë janë plotësisht të vaksinuar”, ka thënë Tedros.

“Mirëpo natyrisht, kjo mesatare fsheh dallime të mëdha mes rajoneve dhe gjendjeve ekonomike”.

Më pak se një në 10 punëtorë shëndetësorë është i vaksinuar plotësisht në Afrikë, ka thënë ai, në krahasim me tetë në 10, në vendet e pasura.

Më pak se 5 për qind e popullsisë së Afrikës është vaksinuar kundër koronavirusit, në krahasim me 40 për qind në shumicën e kontinenteve tjera.

Shumica e vaksinave janë shpërndarë në vendet kryesisht të pasura.