Roma ka fituar ndaj Veronës ditën e sotme me rezultatin e ngushtë 2-1 në sfidën e vlefshme për javën e 21-të në Serie A. Trajneri i ri i verdhekuqve, Daniele De Rossi e nis kështu me fitore aventurën e tij në krye të stolit të Romës, pas shkarkimit të Jose Mourinhos disa ditë më parë.

Golat romanistë u shënuan që në pjesën e parë në harkun e 25 minutave. Fillimisht ishte belgu Romelu Lukaku që zhbllokoi rezultatin në të 19-ën. 6 minuta më vonë, Pellegrini dyfishoi shifrat. Në të dyja golat, njeriu assist ishte Stephan El Shaarawy. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë dhe në të dytën Romës iu desh vetëm ta administronte atë.

Megjithatë miqtë nuk u dorëzuan dhe u treguan disi të pafat. Djuric gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në të 64-ën. Por do të ishte Folorunsho që në minutën e 76’ do të ngushtonte rezultatin. Në fund Roma arriti të merrte 3 pikët, që mungonin prej javësh në kampionat.

Tani rendtiten në vendin e tetë me 32 pikë, por janë vetëm 2 pikë larg vendit të katërt të mbajtur nga Fiorentina.