Novak Djokoviç rrezikon deri në pesë vjet burg, nëse konfirmohet që ka bërë deklarata false te policia kufitare, për të hyrë në territorin e Australisë. Sipas mediave vendase, autoritetet e emigracionit kanë kërkuar edhe pak kohë për të studiuar çështjen.

Në zyrat e ministrit Hawke po shqyrtohet çdo detaj që nuk përkon me deklaratat e tenistit. Nga datat e testeve kundër covid, te eventi me fëmijët, stërvitja në Spanjë apo edhe intervista që ka dhënë për L’Equipe, në një kohë kur e dinte që ishte i infektuar.

Sipas mediave australiane hetimi ndaj yllit të tenisit nga Ministria e Punëve të Brendshme është zgjeruar, duke përfshirë edhe thyerjen e rregullave të izolimit në Serbi, deklarimet e gabuara gjatë hyrjes në Australi për sa i takon udhëtimeve të kryera së fundmi, por edhe mospërputhjen e datave në testet e koronavirusit.

Argumenti kryesor mbi të cilin autoritetet po hetojnë, është pikërisht mospërputhja e periudhës kur Djokoviç pretendon se ishte i infektuar. Në një postim në Instagram, Nole njoftonte se e kishte marrë përgjigjen pozitive të Covid më 17 dhjetor, një ditë pasi kishte kryer testin molekular.

Por, në deklaratën përpara gjykatës, teksa ishte edhe i betuar se po tregonte të vërtetën, ai foli për test dhe diagnozë më 16 dhjetor. Dënimi maksimal për dhënien e deklaratës së rreme sipas Ligjit për Krimet në Australi është deri në pesë vjet burg.