Ndërsa demokratët janë paraqitur me dy lista në KQZ për anëtarët e KZAZ-ve më 14 maj, për kreun e KQZ vendimmarrja është e qartë. “Gjithcka do të kryhet në zbatim të ligjit”, tha Celibashi, ndërsa shtoi se në institucionin që ai drejton Indrit Sefa, është është përfaqësues i PD në KQZ që prej marsit të vitit të kaluar

“Është ky fakt. Pra, kemi dy propozime për anëtarë të KZAZ nga z. Sefa që është përfaqësues i PD në KQZ që prej marsit të vitit të kaluar. Kemi edhe një propozim të sjellë nga z.Noka, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PD. Formalisht kemi dy kërkesa dhe formalisht KQZ do bëjë vlerësimin. Jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit mbi propozimet për anëtarë të KZAZ të të gjitha partive, jo vetëm të PD.

Është një procedurë që rëndom e kemi bërë dhe edhe për rastin konkret do ndiqet e njëjta procedurë, por ka të shtuar kush është ai që ligjërisht ka të drejtë të paraqesë propozime. Do vendosim për këtë. Më vjen keq që gjendem në këtë situatë, vendimmarrja do jetë në përputhje me ligjin. S’kemi asnjë lloj interesi politike edhe as simpatie politike. Kjo vendimmarrja do të jetë në respekt të ligjit, do ishte naivitet nëse dikush do mendonte se kjo vendimmarrje bazohet në urdhra të dikujt tjetër, apo do ishte rrjedhojë e interesit politik apo simpatisë politike. Nuk kemi asnjë llojë droje të vendosim në përputhje me ligjin.”- u shpreh Celibashi.

Ai ftoi të gjithë aktorët e interesur të japin kontributin e tyre për ta zgjidhur sa më parë “pronësinë” e Partisë Demokratike.

“Ngelet për t’u parë se kush e ka tagrin për të vepruar në emër të PD. Dikush thotë i takon Berishës, dikush tjetër thotë se nuk i takon atij, por Alibeajt pasi këtë e ka të deleguar nga Basha. Do ishte mirë që kjo çështje duhet të ishte mbyllur, sepse ne po flasim për një interes publik të dorës së parë pasi flitet për partinë kryesore të opozitës. Sa nuk është vonë, gjithkush mund të kontribuojë në zgjidhjen e situatë, ne jemi të fundit në radhë, presionin që dikush përpiqet ta transferojë në KQZ, e ka kotë, pasi vendimmarrja jonë është në përputhjen me ligjin. Sa nuk është vonë, do duhet gjithkush të japë kontributin e tij që kjo çështje të zgjidhet ashtu siç duhet të zgjidhet. KQZ nuk vendos për çështje që nuk i ka kompetencë”, tha Celibashi/ abcnews