Ka dështuar raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit. Komisioni i Ligjeve miratoi raportin që do t’i depozitohet Kuvendit, pa një kandidaturë.

Mbledhja e komisionit zgjati vetëm pak minuta, ndërsa deputeti socialist Eduard Ndreca lexoi raportin. Edhe në këtë raund palët politikë nuk kanë paraqitur asnjë kandidat për ta çuar për votim.

Seanca e sotme në Kuvend do të mbahet në orën 10:00, ku do të ezaurohet raundi i tretë i zgjedhjes së presidentit. Kështu, presidenti i pesë viteve të ardhshme nuk do të jetë konsensual, pasi tre seancat ku ai mund të zgjidhej me shumicë të cilësuar dështuan njëra pas tjetrës, për shkak të mosdakordësive mes palëve.

Në raundin e katërt është radha e socialistëve që të bëjnë propozimin e tyre. Sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, në dy raundet e fundit kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota, duke mos kërkuar shumicën dhe rrjedhimisht konsensusin e detyruar.