Përforcohet edhe më tej pista se 39-vjeçari shqiptarBledar Dedja, u vra si pasojë e një krimi pasioni.

Mediat italiane kanë publikuar këtë të mërkurë rezultatet e autopsisë, që vërtetojnë dyshimet se shqiptari humbi jetën si pasojë e një goditje të marrë në mushkëri, goditje që i erdhi nga pas.

Dedja u godit mbi 20 herë me thikë mbrëmjen e së shtunës. Kjo është edhe nata kur ndërroi jetë, e konfirmuar tashmë edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Ai u gjet i pajetë mëngjesin e së dielës në një pyll të Paderno del Grappa, në Asolo të Treviso-s.

Nga rezultatet e autopsisë konfirmohen disa detaje, pjesa më e madhe e plagëve u shkaktuan gjatë tentativës së 39-vjeçarit për t’u vetëmbrojtur.

Pikërisht fakti se pjesa më e madhe e plagëve janë sipërfaqësore, për hetuesit janë tregues se autor i krimit ka qenë një person i vetëm dhe shanset që të ketë qenë një person i dytë janë të pakta, pasi do të kishte ndërhyrë në mënyrë që ta neutralizonte.

Detaje të reja nga vrasja e 39-vjeçarit shqiptar: Merret në

Vendi ku i gjet i vrarë shqiptari Bledar Dedja

Sa i përket armës së krimit, ajo është një thikë e përmasave të mëdha. Mediat italiane shkruajnë se në qendër të këtyre hetimeve është një krim pasioni.

Ka disa indicie që i bëjnë hetuesit të besojnë se bëhet fjalë pikërisht për një krim të tillë. Dedja u gjet me pantallonat e ulura dhe vendi ku u vra njihet si një zonë që frekuentohet nga çiftet.

Hipoteza e një grabitjeje që shkoi keq ra thuajse që prej fillimit, për shkak se në makinën e viktimës, e cila ndodhej rreth 100 metra larg trupit të tij, u gjetën të gjitha sendet me vlerë.

Celulari i 39-vjeçarit po analizohet me vëmendje nga hetuesit, të cilët kërkojnë të dhëna për një lidhje të mundshme jashtëmartesore, që mund t’i ketë kushtuar jetën Dedjas.

Detaje të reja nga vrasja e 39-vjeçarit shqiptar: Merret në

Në foto viktima, Bledar Dedja 39-vjeç

Hetuesit po përpiqen që të rindërtojnë orët e fundit të tij, nëpërmjet mesazheve dhe telefonatave, për të zbuluar se kë do të takonte ai pasditen e së shtunës.

Po sipas asaj që shkruajnë mediat fqinje, përgjatë këtyre ditëve janë marrë në pyetje disa persona. Në mesin e familjarëve dhe miqve të tij, rezulton se në pyetje është marrë edhe një grua.

Kjo e fundit para hetuesve ka deklaruar se e kishte njohur Dedjan dy vjet më parë, nëpërmjet një aplikacioni takimesh. Bledar Dedja ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.