Deutsche Welle (DW) në Rusi është mbyllur një ditë pasi Moska i tha transmetuesit gjerman se do t’i revokonte akreditimin.

Ky njoftim i Moskës erdhi pas një hapi të Berlinit që ndaloi transmetimet nga kanali rus RT (Rusia Sot) për shkak se nuk kishte një licencë të kërkuar.

DW tha më 4 shkurt se korrespondentët e saj në Moskë pushuan së punuari dhe kthyen kredencialet e tyre, sipas mandatit të Ministrisë së Jashtme ruse edhe pse transmetuesi gjerman ka një licencë të vlefshme.

Deri më tani gazetarëve të DW nuk u është kërkuar të largohen nga vendi, shtohet më tej.

“Është e qartë se erdhi si një tronditje e madhe për të gjithë ne”, tha Irina Filatova, e cila punon për shërbimin rus të DW në Gjermani që ende po transmetonte më 4 shkurt.

“Ne prisnim disa masa pasi RT u ndalua në Gjermani. Por nuk e prisnim kurrë që këto masa hakmarrëse nga autoritetet ruse do të ishin kaq të vështira… Nuk e prisnim kurrë që studioja jonë në Moskë do të mbyllej dhe të gjithë kolegët tanë që punojnë në Rusi do të humbasin akreditimin”, tha ajo.

Këto telashe mes Gjermanisë e Rusisë erdhën në mes të tensioneve në rritje midis Perëndimit dhe Moskës lidhur me grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave nga Rusia në zonat përreth kufirit me Ukrainën.

Gjermania, mes shumë vendeve, i ka bërë thirrje Kremlinit që të depërshkallëzojë situatën duke tërhequr ushtarët dhe pajisjet e saj nga kufiri.

Ajo vjen gjithashtu pasi Rusia po godet ashpër median e pavarur – kryesisht lokale – pas dëbimit të disa gazetarëve perëndimorë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha më 4 shkurt se Moska ishte e hapur për zgjidhjen e konfliktit, por gjithashtu do ta përshkallëzonte atë nëse Berlini ndërmerr ndonjë lëvizje të mëtejshme.