Tre të rinj janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi janë kapur me doza të drogërave të forta me vete. Nga kontrolli fizik, atyre u janë gjetur 141 doza ekstazi dhe 26 gramë lëndë narkotike e llojit MDMA.

nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “ECSTASY 22”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  

E. B., 21 vjeç; E. M., 17 vjeç, banues në  Tiranë dhe  Rr. B., 26 vjeç, banues në Prishtinë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve E. B. dhe E. M., si dhe kontrollit të ambientit, ku ishin akomoduar këta shtetas, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit MDMA, 61 tableta të dyshuara narkotike të llojit Ecstasy si dhe një shumë parash.

Në vijim të veprimeve policore, gjatë kontrollit fizik të shtetasit Rr. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, edhe 80 tableta të dyshuara narkotike të llojit Ecstasy.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Vlorës.