Për shkak të krizës ruso-ukrainase, UEFA po vlerëson mundësinë e ndryshimit të vendit për finalen e radhës të Champions League, e planifikuar për t’u zhvilluar aktualisht në Shën Petersburg, më 29 maj.

Kështu ka raportuar shtypi anglez, sipas të cilit “Wembley” do të ishte në garë edhe për aktin e fundit të garës kontinentale.

Në UEFA janë shfaqur dyshime serioze për mundësinë për të luajtur finalen e Champions-it në “Gazprom Arena”. Prandaj, UEFA do të monitorojë krizën, në mënyrë që të hartojë një plan emergjence, nëse është e nevojshme.

Disa linja ajrore të mëdha europiane kanë njoftuar tashmë, se do të pezullojnë ose reduktojnë fluturimet, si në Ukrainë, ashtu edhe në Rusi, për shkak të problemeve në rritje të sigurisë.

Sezonin e kaluar, finalja e Champions League u zhvendos nga Stambolli për në Porto, tri javë para fillimit për shkak të emergjencës Covid që kishte goditur rëndë qytetin turk.