Pamje të dhimbshme janë ato që të ofron këtë mëngjes Mali i Tomorrit, i cili po digjet që prej paradites së djeshme, dhe autoritetet nuk po ndërhyjnë nga ajri për shuarjen e flakëve. Një masiv i madh pishash janë duke u djegur, ndërkohë që shuarja e flakëve në rrugë tokësore tashmë duket e pamundur.

Mjetet zjarrëfikëse e kanë të pamundur futjen në zonë për shkak të terrenit të vështirë dhe kjo ka bërë që zjarri të marrë përmasa të mëdha, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre e pisha të egra në zemër të Malit të Tomorrit.

Bashkia e Poliçanit ka kërkuar ndërhyrjen e mjeteve nga ajri për të shuar flakët, ndërkohë që rojet dhe personeli ADZM (rojet mjedisore) të pyjeve kanë shkuar në këmbë drejt zonës për ta neutraluzuar zjarrin me mjete rrethanore.

Ditën e djeshme në luftë me flakët kanë qënë rojet mjedisore dhe për disa orë helikopteri nga ajri  për shuarjen e flakëve ndërsa zjarri u  përphap drejt “Parkut Kombëtar” i favorizuar edhe nga era. Mësohet se zjarri ka rënë fillimisht në zonën e sipërme të fshatit Lybeshë dhe më pas është shtrirë drejt pyllit me pisha në Malin e Tomorrit.

Burimet policore dyshojnë se kemi të bëjmë me një zjarrëvënie të qëllimshme për hapjen e kullotave të reja por nuk përjashtohet edhe pista që zjarri të jetë vendosur nga mbledhësit e bimëve medicinale, të cilët një natë më parë kanë qënë në atë zonë dhe mund të kenë ndezur zjarr.

Policia ka marrë në pyetje disa prej tyre, ndërkohë që ende nuk kemi persona të ndaluar për zjarrvënien, e cila po përparon e favorizuar nga kushtet e motit.

Pavarësisht rrethanave të ndezjes së zjarrit, ajo që mbetet alarmante është shuarja e flakëve që tashmë kanë përparuar dhe janë duke djegur parkun kombëtar, i cili është i pasur me florë dhe faunë, dhe shkatërrimi i tyre mund të sjellë pasoja afatgjata për të gjithë zonën.

(E.K/Faxweb.al)