Një 44-vjeçar në Lushnje është plagosur me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:15 në afërsi të stacionit të trenit në rrethana të paqarta.

Policia thotë se i plagosuri është Kujtim Meta nga Sarava e Lushnjes. Ai është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Korrenspondentja e Klan News në Lushnje, Anila Sefa ka mësuar se i plagosuri ka qenë në një lokal duke pirë kafe. Sipas të dhënave të para, autori dyshohet të ketë qenë i maskuar, me syze dhe me xhup ngjyrë blu. Sipas Anilës Sefës, autori ka qenë i armatosur me pistoletë me silenciator dhe ka hyrë brenda në lokal e ka qëlluar 4 herë në drejtim të Kujtim Metës.

Pas të shtënave, autori u largua në këmbë. Ndërsa 44-vjeçari i plagosur eci disa metra në këmbë dhe më pas u rrëzua në tokë. Ai jeton në zonën ku ndodhi krimi dhe vetëm disa metra më larg ka banesën.

Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor po vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Janë ngritur pika kontrolli në  të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Lushnjës me qëllim kapjen e autorit.