Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka qenë e pranishme në Kuvendin që po mbahet sot në Air Albania, ku ka folur përpara mbështetësve të kësaj force politike. Ademi tha se njësoj si në Marsin e 1992, koha ka ardhur që PD të kthehet në pushtet dhe kjo mund të vijë vetëm përmes bashkimit.

“Të rinjtë po braktisin vendin, PPP po grabisin paratë e shqiptarëve, jemi kthyer në epiqendër të trafikut të drogës, të gjitha pushtetet janë centralizuar në dorë dhe po rrëshqasim në një diktaturë me pamje të rrejshme. Por kjo situatë e rëndë duhet ndryshuar dhe do ta ndryshojmë të gjithë bashkë. Historia shpeshherë bëhet ciklike.

Si në vitet ’90, historia thërret në skenë sërish Partinë Demokratike. Në 31 mars 1991, komunistët fituan zgjedhjet e zhvilluara, por më pak se një vit më pas, PD arriti të marrë mbi dy të tretat e votave të shqiptarëve duke e shkëputur vendin nga diktatura. Nuk kishte magji. Ishin të njëjtët shqiptarë që e çliruan me votë. Sot gjendeni thuajse në të njëjtën situatë. Qeverisemi nëpërmjet vjedhjes së votave nga nipër e bij të atyre që ishin pjesë e nomeklaturës.

Duket e vështirë që kjo kastë të largohet, por në fakt ata janë të dobët të zhytur në korrupsionin e tyre dhe përvetësimin e pushteteve. Ne e kemi një armë që ia kemi provuar suksesin: bashkimin. Gjërat që na bashkojnë jo vetëm si demokratë e shqiptarë janë më shumë se ndasitë e momentit”, tha ndër të tjera Ademi.