Fatbardh Kadilli i cili kandidoi përballë Lulzim Bashës në zgjedhjet e 13 qershorit në këtë parti, i njohur dhe për qëndrimin e tij kundër rikthimit të Berishës në krye të PD-së duke iu referuar dhe shpalljes ‘non grata’ të tij prej DASH, ka përsëritur të njëjtin qëndrim në Kuvendin e sotëm të iniciuar nga vetë Sali Berisha si kulminacion i turit të tij 3 mujor me ‘Foltoren’ në të gjithë Shqipërinë.

Në fjalën e tij ai është shprehur se ky kuvend po shkon drejt platformës së tij të paraqitur 6 muaj më parë që pas humbjeve të zgjedhjeve parlamentare.

“Zgjedhjet e brendshme në PD ishin qesharake. Ju ishit me Bashën kur ai shkatërroi procesi e zgjedhjeve në parti. Ju ishit me Bashën edhe kur ai humbi. Ndryshimi duhet të fillojë nga mendësia jonë”, tha ai ndërsa përshëndeti dhe miratimin e një prej pikave të statutit ku parashikohet largimi i kryetarit të Partisë nëse ai humb zgjedhjet parlamentare, por kërkoi me ngulm mosrikthimin më të Sali Berishës.

“Duhet të largohet kryetari humbës, por nuk duhet të rikthehet as Sali Berisha. Në të gjithë botën mes shqiptarëve kudo ka njerëz me integritet dhe vizion dhe prej këtyre duhet të dalin liderët e PD-së. Të zgjedhim një udhëheqës që vepron dhe mendon si evropian. Nuk kemi nevojë për liderin historik ballkanik apo atë evropianin fals”, tha Kadilli.

I pyetur më herët për pjesëmarrjen në 2 Kuvendet e paralajmëruara, Kadilli u shpreh se do merrte pjesë në të 2 organizimet për të dhënë pikëpamjet e tij.

Që prej 9 shtatorit të këtij viti, kur Basha shpalli përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pas përcaktimit ‘non grata’ nga DASH, ky i fundit nisi turin e ‘Foltoreve’ në të gjithë vendin duke kërkuar largimin e kreut aktual të PD-së dhe ristrukturimin e partisë që themeloi vetë 31 vjet më parë.
Sipas përfaqësuesve të ‘Foltores’ për mbledhjen e këtij Kuvendi kanë nënshkruar mbi 5200 delegatë, ndërsa pritet që të miratohet dhe statuti i ri i Partisë Demokratike.

Kreu aktual i PD-së Lulzim Basha e ka quajtur të paligjshëm dhe anti- SHBA këtë Kuvend duke cilësuar nul dhe vendimet e dalë prej tij. Ai rreth 1 muaj më parë shpalli datën e mbajtjes së një Kuvendi tjetër të PD-së me 18 dhjetor, ndërsa të dy palët pretendojnë se janë mbledhur firmat e mbi 5 mijë delegatëve. Ndërkohë deri më tani zyrtarisht Kuvendi i PD-së ka rreth 7500 delegatë.