Deputeti tashmë i zgjedhur në Tiranë, belind Këlliçi ka qenë i ftuar këtë të hënë në studion e Fax News ku ka folur për zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike dhe situatën politike në vendin tonë.

Duke folur për deklaratën e Fatbardh Kadillit i cili tha se pavarësisht humbjes ai nuk do japë dorëheqjen nga PD, Belind Këlliçi e vlerësoi shumë këtë qëndrim. Ai theksoi se askush nuk është i tepërt në PD, duke i shtrirë dorën kështu kandidatëve që morën pjesë në zgjedhje Edith Harxhi, Fatabardh Kadilli dhe Agron Shehaj të vazhdojnë të kontribojnë.

“Askush nuk ka përse të largohet dhe më vjen mirë për këtë deklaratë. Unë e njoh personalisht zotin Kadillin. Ka 3 dekada që militon në PD. Që bën betejat e tij personale, gjithmonë kuadër të programit të PD. Më vjen mirë që ka mbajtur këtë qëndrim, sepse ka një eksperiencë të vyer. Askush nuk është i tepërt në PD. Ka individë që gabojnë në PD. Nuk mbizotëron kulti i individit në Partinë Demokratike. Kjo është një kulturë vetëm në Partinë Socialiste. Më vjen keq që kam parë atë shfaqje të shëmtuar në Kongresin e 80 vjetorit të Partisë së Punës dhe jo në 30 vjetorin e PS-së. Një parti që ka ndryshuar emrin nga Partia e Punës në PS,” tha Këlliçi.

Për sa i përket procesit të zgjedhjeve dhe ankesave të Agron Shehaj, Këlliçi deklaroi se procesi ka qenë i rregullt dhe se vëzhguesit apo komisionerët kanë firmosur të gjithë rezultatin.

“Nuk mund të komendoj mbi pritshmëritë. Kam qenë i barazlarguar nga kandidatët. Por ajo që dua të them është se ky është një rezultat që flet pastër, qartë. PPE kanë inkurajuar PD që të vazhdojë betejën e saj për një Shqipëri ku mbizotëron shteti i së drejtës. Më vjen mirë që nuk ka pasur kontestim për rezultatin. Në 76 qendrat e votimit të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit kanë firmosur dhe kanë pranuar rezultatin. Përkundër shumë deklaratave të kandidatëve që mund të jenë ankuar për parregullsi. Unë si anëtar i komisionit zgjedhor jua them me përgjegjësi absolute që për çdo ankesë që kemi marrë nga çdo kandidat i jemi përgjigjur në kohë reale. Nuk ka pasur asnjë shqetësim të ngritur që nuk ka marrë përgjigje. Ka patur pakënaqësi, por do të ftoja kandidatët të jenë të vërtetë dhe të kenë vetëm një kauzë. Bashkimin e PD dhe forcimin e saj. Nuk ka asnjë demokrat që nuk e kupton që nuk kemi luksin të humbasim asnjë kandidat”, u shpreh ai.

Në fund, Këlliçi u pyet dhe për ftesën e Ramës për bashkëpunim. Ai u përgjigj prerë duke thënë që Rama duhet të largohet një orë e më parë.

“Shkaktari i të gjithë kësaj keqqeverisje nuk mund të jetë njëherazi zgjidhja për problemet e shqiptarëve. E vetmja mënyrë nëse Edi Rama vërtetë shqetësohet për mirëqenien e vendit, të hapë rrugën, të japë dorëheqjen dhe të largohet një orë më parë. Gjatë qeverisjes së tij janë vjedhur 7.2 miliardë euro. Këto provokime për të përçarë qytetarët nuk i ha as dreqi . Këta janë tentativa për të përçarë PD-në”, përfundoi Këlliçi.