Tetëmbëdhjetë persona raportohet se janë arrestuar në fshatin Fratar të Mallakastrës, Qarku i Fierit, në një laborator për përpunimin e kokainës. Sasia e drogës dyshohet se ka ardhur pesë muaj më parë në Portin e Tivarit në Malin e Zi, nga Kolumbia, dhe më pas është transportuar drejt Shqipërisë.

Ngarkesa është nisur drejt vendit tonë, e futur në 400 kg thasë me pleh kimik, dhe menjëherë autoritetet kanë nisur hetimet duke u koordinuar me homologët shqiptarë të SPAK. Është pritur për pesë muaj dhe laboratori i drogës në fshatin Fratar është mbajtur nën vëzhgim, derisa aty të mbërrinte porositësi i drogës.

Menjëherë sapo ky person, emri i të cilit nuk bëhet me dije, ka mbërritur pranë vendit që mbahej nën vëzhgim me urdhër të Prokurorisë Speciale, është ndërhyrë dhe ai është arrestuar në kushtet e flagrancës.

Në ambientet që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike nga plehu kimik janë kapur dhe dy shtetas nga Kolumbia, të cilët dyshohet se paguheshin për kryerjen e këtij procesi delikat.

Ata kryenin përmes proceseve kimike ndarjen e lëndës narkotike nga plehrat kimike.

Po ashtu, ekipe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë sekuestruar dy armë zjarri kallashnikovë, një armë gjysmë-automatike shotgun dhe një armë gjahu çifte.