“Festa e fërgesës”, promovim i kulinarisë së Elbasanit
Elbasani, qyteti i traditës, kulturës, arsimit dhe mikpritjes, shquhet edhe për kulinarinë. Amvisat elbasanase, prej vitesh ruajnë me fanatizën, mënyrën e gatimit tradicional kryesisht të tavave në furrë. Tava e kosit, fërgesa më shumllojshmëri produktesh që nga perimet e deri tek mishi, të pjekura me tavë balte në furrë, vazhdojnë të mbajnë rekord jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por në mbarë vendin.
Ndaj edhe këtë vit, në edicionin e saj të pestë, “ Festa e Fërgesës”, nuk mund të realizohej pa praninë e gatmimit tradicional të fërgesës së Elbasanit. Ky aktivitet i kulinarisë, u organizua në Kalanë e Tiranës me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, kryebashkiakun e Elbasanit Gledian Llatja , si edhe ministren Evis Kushi, me qëllim, promovimin e vlerave më të mira kulturore, artistike, kulinare të dy qyteteve, thuajse me tradita të njëjta.
Festa e Fërgesës” bëri bashkë artizanë dhe restorante tradicionale. E kthyer në një traditë të përvitshme për kryeqytetasit, por jo vetëm, ajo erdhi këtë vit si një sfidë shijesh mes Tiranës dhe Elbasanit, duke tërhequr një numër të madh turistësh dhe vizitorësh.
Për të përshëndetur këtë festë, i pranishëm ishte dhe kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, i cili vlerësoi traditat dhe bashkëpunimin me bashkinë e Tiranës.
“Tirana është shtëpia e të gjithë Shqipërisë. Normalisht fërgesa është një nga gatimet që na ka bashkuar gjithmonë si Shqipëri e Mesme. Faleminderit për këtë aktivitet që na dhatë dhe ne mundësinë që bashkë me artistët e Elbasanit të jemi sot prezent këtu”, u shpreh kryebashkiaku Llatja.
Krahas panairit të kulinarisë së zonës, të pranishmit patën mundësi të ndjekin performancën e Ansamblit Tirana me valle të Shqipërisë së Mesme, Ansamblit “Isuf Myzyri” dhe Ansamblit të Fëmijëve Elbasan. Shumë turistë pasi kanë shijuar fërgesën e Elbasanit, premtuan se nuk do të largohen nga Shqipëria, pa ardhur në qytetin e Elbasanit dhe të shijojnë këtë tavë, qindra vjeçare të Elbasanit.