Policia e Elbasanit ka bërë ditën e sotme një njoftim zyrtat për arrestimin e një shtetasi si bashkëpunëtor në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqiri në Elbasan.
Uniformat blu kanë vënë në pranga një 28 vjeçar me iniciale K.D., i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Jorgo Leku i njohur edhe me tre identitete të tjera si Olsi Leka alias Giorgo Lekou ( i cili është arrestuar me parë), 8 vite më parë kanë vrarë me armë zjarri shtetasit G. B. dhe N. B. (babë e bir), në banesë, më datë 15 gusht 2012.

Njoftimi i plotë.

Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur në vitin 2012, në Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit G. B. dhe N. B. (babë e bir).
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, në kuadër të procedimit penal në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 15.08.2012, në Elbasan, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit:
K.D., 28 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim”, pasi ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin J. L. ( i cili është arrestuar me parë), më datë 15.08.2012, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit G. B. dhe N. B. (babë e bir), në banesë.
Në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Elbasan vijon puna intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.