Moderatori Endri Xhafo thotë se emisioni i tij “LOG.” nuk do të transmetohet më dhe është ndërprerë me efekt të menjëhershëm. Arsyeja, thotë moderatori, është për shkak të ristrukturimit programor të televizionit Abc News.

“Sot paradite m’u komunikua se, me efekt të menjëhershëm, emisioni LOG. ndërpritet. Pra, për nesër, ditë e martë, duhet të njoftojmë të ftuarit të mos vijnë. Arsyeja zyrtare: Ristrukturim programor i ABC-së. Çështja është se me situatën aktuale të ABC-së faji mbetet kopil dhe të drejtën s’ke ku ta kërkosh”, shkruan ai ndër të tjera.

Kujtojmë se, ditë më parë televizioni ku prej tre sezonesh tashmë kishte emisionit e tij Endri Xhafo, u ble nga biznesmeni i madh në Kosovë. Shkëlqim Devolli. Më parë, Abc News ishte në pronësi të sipërmarrësit Klodian Allajbeu.

Shënimi i plotë i Endri Xhafos:

Në LOG. nuk do të kuvendohet më! Sot paradite m’u komunikua se, me efekt të menjëhershëm, emisioni LOG. ndërpritet. Pra, për nesër, ditë e martë, duhet të njoftojmë të ftuarit të mos vijnë. Arsyeja zyrtare: Ristrukturim programor i ABC-së. Çështja është se me situatën aktuale të ABC-së faji mbetet kopil dhe të drejtën s’ke ku ta kërkosh. U daltë për hajër!

LOG. në fakt nuk është emisioni i parë që mbyllet, nuk ka për të qenë as i fundit. Tregu mediatik ka ca kohë që është bërë tejet dinamik. Mirëpo ky dinamizëm shpesh konjuktural nuk vjen së brendshmi, si pasojë e kërkesë-ofertës, cilësisë së programeve, apo zotësisë së moderatorëve. Kjo dëmton programet e reja si LOG., që, sado mirë e me përkushtim të bëhen, nuk do të arrijnë dot kurrë të hedhin rrënjë. Çelsi i suksesit të një programi të mirë është, ndër të tjera, konsistenca. LOG. po ndërpritet në fillim të sezonit të tretë, për “ristrukturim programor”, ndonëse deri dje, sipas bordit tanimë të shpërbërë të ABC-së, ishte zëri zyrtar i linjës (së ekulibruar) editoriale të ABC-së.

LOG., vendi ku kuvendohet fshtatçe, i shkruar edhe me pikë në fund si të ishte pjesa e parë e fjalës LOG.jikë, sipas një ideje të Genc Gjinecit, u përpoq shumë të ishte vendi i një debatit të arsyeshëm. Meritë për këtë kanë të gjithë ata që dhanë nga një dorë; të metat janë vetëm të miat. Suksese samitit nesër!