Është zhvilluar në ambientet e Kuvendit, seanca dëgjimore me disa prej kandidatëve të vetofruar për dy vakancat e shpallura, në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Pjesë e kandidaturave të vetofruar ishte dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Anastas Angjeli, i cili në prezantimin e tij u shpreh se kandidon për këtë post pasi mendon se ka përvojën e nevojshme për të dhënë ndihmën e tij në ndryshimin e kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë.

Kandidatura e Angjelit mori mbështetjen e deputetit të PD-së në komisionin e Ekonomisë, Edmond Spaho, i cili tha se kjo është një kandidaturë ekselente.

Pjesë nga diskutimet

Anastas Angjeli: Mendoj që një kontribut që mund të japë është përmirësimi i kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Ligji për Bankën e Shqipërisë është që nga viti 1997, pra për çerek shekulli nuk ka ndryshuar dhe ka nevojë të përmirësohet.

Përmirësime të tjera janë rritja e autonomisë e bankës së Shqipërisë, duke e bërë atë më të pavarur nga ato që parashikon Kushtetuta. Gjithashtu ka disa akte të tjera nënligjore që kanë të bëjnë me auditin e brendshëm edhe ato duhet të përmirësohen. Dhe dy elementë të tjerë janë transparenca, që duhet të bëhet në përputhje me legjislacionin në vendit tonë dhe siguria kibernetike.

Endmon Spaho: Vende të tilla në Bankën e Shqipërisë janë për individë me një eksperiencë dhe përvojë të madhe. Kështu që mendoj se zoti Anasatas Angjeli është një kandidaturë ekselente për këtë pozicion.