Faiq Bolkiah besohet se është futbollisti më i pasur në botë, por megjithatë është duke kërkuar një skuadër të re.

Ai ka luajtur me akademinë e Arsenal e Chelsea në Londër por nuk duket se ka gjetur suksesin që i përshtatet pasurisë së tij.

Faiq Bolkiah u bë i famshëm kur nisi të stërvitej me akademinë e Southampton dhe më pas nënshkroi kontratën e parë profesioniste me klubin anglez të Leicester.

Ai është nipi i sulltanit të Brunei, Hassanal Bolkiah, pasuria e të cilit llogaritet në 18 miliardë euro.

Pasi mbylli kontratën vitin e kaluar pa asnjë paraqitje në fushë me Leicester, Faiq u vendos me skuadrën portugeze të Maritimo.

Por së fundmi edhe kjo aventurë e tij për të çarë në botën e futbollit profesionist mori një goditje me mbylljen e kontratës me skuadrën portugeze që aktualisht renditet e 15-ta.

Klubi nuk dha arsye të veçanta për largimin e 23-vjeçarit të lindur në Los Angeles, i cili nuk arriti të bënte asnjë paraqitje për skuadrën.

Por në të tjera aspekte jeta shoqërore e Bolkiah vijon të shkëlqejë, teksa më herët postonte në rrjetet sociale fotot ku takonte Mbretëreshën Elizabeth, dhe rrethin e saj.

Babai i tij Jefri është vëllai i manjatit të naftës Hassanal, anëtar i familjes mbretërore të Brunei dhe trashëgimtar i fronit të sulltanit.

Jefri besohet se dikur zotëronte 2,300 automjete, duke përfshirë flota me Bentley, Ferrari e Rolls-Royce.

Kur Faiq mbushi shtatë vjeç, babai i tij raportohet se i kishte sjellë me avion Michael Jackson për një koncert privat, për të cilin kishte paguar këngëtarin e ndjerë $12.5milionë.

Por ish-kolegët e tij thonin se ai ishte një djalë i zakonshëm në dhomat e zhveshjes.

Shoku i tij Ruben Sammut tha për rrejtin The Athletic: “Asnjë herë nuk mund të besoje se ai ishte diku i 12-të në radhë për fronin. Kam luajtur kundër tij kur isha te skuadra e Reading. Ne nuk e dinim kush ishte dhe as ata te Chelsea fillimisht nuk e njihnin origjinën e tij.”