Italia ishte skuadra e parë që kaloi në fazën tjetër të Euro2020. Azzurrët fituan 3-0 kundër Turqisë në debutimin e tyre dhe po kaq edhe ndaj Zvicrës në ndeshjen e dytë.

Nesër, në orën 18:00, të kaltrit do të kthehen në fushë kundër Uellsit. Një ndeshje, ku vlen edhe vetëm një pikë, që Italia ta mbyllë grupin para të gjithëve. Por trajneri Roberto Mancini thotë se nuk mund të luhet për barazim:

“Ne duhet të vazhdojmë të luajmë siç kemi bërë gjithmonë, duke qenë ofensivë dhe bërë gjërat në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një ndeshje e rëndësishme, ne duan ta përfundojnë grupin në krye.

E dimë se do të jetë edhe më e vështirë, ngaqë do të luajmë në orën 18:00, pra do të jetë edhe më e nxehtë. Do të jetë ndeshja e tretë brenda dhjetë ditëve, e para ishte veçanërisht e ngarkuar dhe disa lojtarë janë të lodhur.

Kjo është ndoshta ndeshja e vetme, në të cilat mund të bëjmë disa ndryshime, sepse pastaj sfidat e tjera do të jenë vendimtare. Por, ne e dimë që rezultati nuk do të ndryshojë”.

Marco Verratti mund të kthehet në fushë, mungoi në dy ndeshjet e para për shkak të një dëmtimi; ndërsa lojtari i Juventusit, Chiesa, mund të gjejë hapësirë menjëherë.

“Është e qartë se Marco nuk ka gjendjen fizike të dikujt që ka luajtur gjithmonë, por e kompenson atë me cilësi të jashtëzakonshme teknike. Ai me siguri do të luajë, le të shohim nëse nga fillimi apo gjatë ndeshjes. Federico mund të luajë në të gjitha rolet sulmuese, jo si një sulmues qendror, por sigurisht edhe si anësor, çka është pozicioni i tij natyral,” – tha ndër të tjera Mancini.

Faxweb