2 vite në çadër

Mëngjezi i 26 nëntorit zbardhi i trishtë për 5 anëtarët e familjes Alimadhi në fshatin Haspiraj të Peqinit.Tërmeti ia shndërroi në gërmadhe banesën e moçme të trashëguar nga paraardhësit. Fatmirësisht anëtarët mundën të dilnin në kohë në oborr e të shpëtonin pa lëndime.

Por në pak sekonda ata panë tu thërrmohej para syve streha që i kishte shërbyer si mburojë. Pas dy vitesh vijojnë të strehohen ku të munden.
Bashkia u dhuroi një çadër në të cilën jeton vetëm kryefamiljari, ndërsa anëtarët e tjerë jetojnë në një shkollë të vjetër. Burri thotë se nuk mund ti bashkohet familjes sepse i duhet të kujdeset për bagëtinë.

Me zërin që i dridhet Arben Alimadhi kërkon ndihmë nga qeveria që edhe ai të përfitojë një shtëpi si shumë të tjerë në Shqipëri.
Bashkia Peqin është njohur me rastin e familjes Alimadhi që pas tërmetit. E vetmja ndihmë që i ka dhënë është kjo çadër.

Shefi i emergjencave bën me dije se dokumentacionin e kanë përcjellë në sektorin përkatës e për pasojë janë në pritje të një përgjigje e cila deri tani ka munguar. Në Peqin nga tërmeti i 26 nëntorit u dëmtuan 350 ndërtesa, por 50 rezultojnë më rëndë.