TIRANË-Dosja “Gërdeci” kaloi për gjykim në Gjykatën e Posaçme dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu merret zyrtarisht i pandehur. Vendimi u mor në seancën paraprake të kësaj të enjte ku u pranua gjykimi i shkurtuar, teksa nuk ka qenë i pranishëm në sallë vetë deputeti Mediu, por përfaqësua nga avokatët Ardian Visha dhe Henrik Ligori. SPAK u përfaqësua nga kreu Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja dhe Klodian Braho. Në sallë ishin të pranishëm edhe familja Durda, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në shpërthimin famëkeq të Gërdecit, që nuk u pranua nga GJKKO si palë në gjykim. Për mediat, Zamira Durda e cilësoi të turpshëm vendimin.

‘Nuk jam e kënaqur, do t’i drejtohem KLGJ-së dhe ILD-së, për prokurorë e gjyqtarë. Duhet të shkarkohet SPAK i gjithë. Zamira do vijojë betejën, është turp.’- u shpreh Zamira Durda, e cila ka humbur djalin nga tragjedia e Gërdecit.

Avokati i familjes Durda, Dorian Matlija, tha se ky proces gjyqësor duhet të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve.

‘Familjarët e viktimave duhet të ishin aty. Do jemi prezent edhe në seancën tjetër. Do të paraqesim kërkesat tonë. Ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve.’- u shpreh ai.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre”. Seanca e parë e gjykimit pritet të mbahet në Gjykatën e Posaçme në datën 24 prill.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.

Lajmi në përditësim…