I dërguari i posaçëm i Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin do të jetë sot në Shkup. Mbërritja e tij në Maqedoninë e Veriut një ditë pas presidentit të Këshillit të Evropës, tregon angazhimin e shteteve evropiane për procesin e negociatave.

Nga Ambasada gjermane në vend thonë se Sarrazin shkon në Shkup për bisedime për të ndihmuar në rigjallërimin e procesit të zgjerimit dhe për të shoqëruar Maqedoninë e Veriut në hapat e saj të rëndësishëm në këtë drejtim

I dërguari i posaçëm i Qeverisë gjermane do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe zv/kryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiç. Këto takime vijnë në një kohë kur maqedonsit janë ngritur në protesta kundër propozimit francez.

Propozimi francez garanton një proces dialogu mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pasi kjo e fundit vendosi të hiqte veton në procesin e hapjes së negociatave. Vetoja bullgare prej dy vitesh ka bllokuar dhe Shqipërinë, pasi blloku evropian ka vendosur që dy vendet të vazhdojnë të pandarë në rrugën drejt BE.