Ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, foli për marrëveshjen e TAP. Gjiknuri tha se në kohën që ai drejtonte Ministrinë e Energjetikës, ishte hapur një garë ndërkombëtare për TEC-in e Vlorës. Gjiknuri tregon se disa kompani kishin aplikuar, por asnjëra prej tyre nuk ishte pranuar.
Në Shqipëri TAP ka parashikuar dy dalje gazi. Një në Fier dhe një tjetër mundësi është lënë në Korçë. Por fatkeqësisht Shqipëria nuk ka pasur një treg gazi dhe ndërmarrje që mund të merrte sasi gazi.

Rudina Xhunga: Nuk ka pasur pas ’92 se më herët ka pasur!
Damian Gjiknuri: Po flas për kohën tonë.
Rudina Xhunga: Po, për kohën e shkatërrimit.
Damian Gjiknuri: Për atë kohë jetojmë. Por duhet të kuptojmë, gazi do një rrjet të caktuar, kërkon infrastrukturë dhe investime të caktuara. Në mënyrë që të prenotosh gaz, duhet të kesh edhe rrjetin që do ta transportosh gazin.
Shqipëria nuk e ka pasur dhe një nga përfitimet që kemi marrë nga TAP-i ishte projekti dhe studimi i mirëfilltë për sasinë e gazit, rrjetin ku do të kalojë, lidhja me TEC-in e Vlorës.
Së dyti unë u përpoqa të bëja një tentativë nëpërmjet Albetrol për ta futur atë në një ankand për kapacitetet e të ardhmes. Por Albetroli nuk kishte fuqi financiare për të përballuar një ankand të tillë dhe nuk kualifikohej. Duhet të kemi parasysh që sasitë e gazit në botë, prenontohen para. Pra duhet të japësh garanci financiare, në vlera që shkojnë në disa dhjetëra apo qindra milionë euro për të bllokuar sasi gazi për të ardhmen. Sepse energjia shitet gjithmonë me të ardhmen jo me të tashmen. Nga kjo pikëpamje ne kishim pamundësi. Nuk kishim një operator, as mundësi financiare. Kjo është e vërteta pse nuk kemi marrë dot gaz.
Unë nuk e zgjidha dot këtë pamundësi. Ishte e vështirë. Zgjidhjet ishin dy, të kishim një ndërmarrje tonën ose të gjenim një partner. Unë u përpoqa që të gjenim një partner strategjik për ta marrë përsipër gazifikimin e Shqipërisë. Kërkon një operator që mund të bënte investimet në rrjet. E vetmja tentativë që kam bërë personalisht ishte të lidhja termocentralin e Vlorës me daljen e sistemit të gazit të TAP-it nga Semani. E përgatita edhe me mbështetjen e një kompanie gjermane për të lidhur termocentralin me gazsjellësin TAP. Për mua është zgjidhja e vetme.
Rudina Xhunga: Por kjo nuk ka ndodhur?
Damian Gjiknuri: Unë e hapa garën ndërkombëtare, por qëlloi që në atë kohë lashë postin e ministrit të Energjetikës. Pati një interes nga disa kompani dhe tre oferta nga një kompani turke, një greke dhe një izraelite për të bërë ndërtimin e tubacionit plus vënien në punë të termocentralit të Vlorës. Gara është shpallur në dhjetor të 2018 dhe ofertat kanë ardhur në pranverë të 2019, kur unë isha larguar si ministër. Dëgjova më vonë qe ofertat nuk kishin plotësuar kushtet.
Rudina Xhunga: Qeveria juaj është përsëri!
Damian Gjiknuri: Po, tentativa qe shumë e mirë. Mbase partnerët që u ofruan nuk kishin plotësuar kushtet. Këtë nuk di ta them. Por mendoj që ai duhet të jetë modeli.
Rudina Xhunga: Ju nuk jeni në dijeni si ka vijuar kjo që ju nisët dhe pse e besoni që kjo është e rëndësishme?
Damian Gjiknuri: Nuk pati një procedurë të suksesshme. Kam dëgjuar që po bëhet një projekt i ri. Por nuk kam shumë dijeni, këtë më shumë e kam mësuar nga mediat. Për të sjellë gazin nëpërmjet sistemeve LNG. Ideja është që do të furnizohet edhe TEC-i i Vlorës, por nuk e di sa se ekonomike është si alternativë pasi LNG është më i shtrenjtë se sa tubacioni tokësor. Unë mendoj që në Shqipëri është i nevojshëm një TEC i ri me gaz, në Seman, pa pasur nevojë të zgjatet me tubacione për në Vlorë.
Rudina Xhunga: Ndërkohë që flasim TAP-i nuk ka dalje gazi në Shqipëri askund?
Damian Gjiknuri: Sepse nuk ka ku të shkojë gazi.
Rudina Xhunga: As gaz as transit fees nga TAP. ..
Damian Gjiknuri: Gaz ne nuk përfitojmë sepse nuk kemi treg. Fees nuk përfitojmë sepse kështu është parashikuar në marrëveshje!