Damian Gjiknuri tha se Partia Socialiste nuk ka ende një listë emrash për kandidatë për President të vendit. Mandati i Ilir Metës përfundon më 24 korrik dhe socialistët kanë thënë se brenda majit do të dalin me një propozim. “Jo s’kemi listë emrash. Jam i bindur që në momentin e duhur do ta kemi. Do të kemi konsultime dhe mazhoranca i ka votat në fund që procesi të mos bllokohet”, tha Gjiknuri në “Intervistë”  me Merita Haklaj.

Por për Sekretarin e Përgjithshëm të PS, kriteret kushtetuese dhe profili qytetar janë më të rëndësishmet. Por sipas tij, ka disa kritere që do të skualifikonin kandidatët e mundshëm.“Pasja e një eksperience politike nuk duhet parë kurrë si disavantazh, por si avantazh. Të mos ketë interesa politike të çastit, as të mos ketë idenë që do të krijojë parti nesër. Besoj se do të ishte më mirë njerëz që kanë një profil publik pse jo dhe politik në të kaluarën me angazhime dhe mendoj që njerëz që kanë eksperiencë politike dhe janë në gjendje të bëjnë shkëputjen nga interesat e çastit politik do të jenë figura shumë të pranueshme”.

Sepse presidenti i sotëm ishte modeli i presidentit që nuk duhet të jetë. Pra, kishte një agjendë politike. Hyri në atë zyrë mbase gjysmë i penduar, mendoi se si do të mbajë partinë e tij, si do t’i shërbejë opozitës, çfarë skenash do të bëj kur të iki nga zyra e Presidentit. Një president i tillë s’na duhet”, shtoi Gjiknuri.