Gjykata e Apelit në Tiranë ka dhënë sot informacion për dosjen e biznesmenit italian Francesco Becchetti. Shorti për gjykimin e kësaj dosje do të hidhet nesër, më datë 29 prill, ndërsa në shkallën e parë biznesmeni është shpallur fajtor dhe është dënuar me 17 vite burg.

Në dosje thuhet dhe se Francesco Becchetti ka paraqitur ankimin përmes avokatëve të tij në shkallën e dytë, për vetë dhe kompanitë e tij: Personi juridik “Energji” shpk, Personi juridik “Agonset” shpk, Liljana Condomiti, Personi juridik “400 KV” shpk.

Beccheti është dënuar për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh përmes një skeme mashtrimi me TVSH me vlerë rreth 38 milion euro. Për ortakun italian të Becchetit, Mauro de Renzis gjykata ka dhënë 16 vite burg. Me 8 vite burg është dënuar Liliana Condomitti, nëna e biznesmenit Beccheti dhe 8 vite burg për financieren Erjona Troplini.

Ndërsa Stavri Peçi dhe Fetah Dervishi janë dënuar me nga 2 dhe 3 vite burg përkatësisht, i konvertuar në shërbim prove.

Vetëm pak kohë më parë, biznesmeni italian fitoi gjyqin në Strasburg që e detyron Shqipërinë t’i paguaj atij 110 milion euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit.