Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e avokatit të Adriatik Llallës, që dënimi me 2 vite burg i ish-kryeprokurorit të pezullohet për shkak se ai është i sëmurë. Sokol Hazizaj është shprehur në seancën që është mbajtur sot, se izolimi në qeli i klientit të tij do të rëndonte gjendjen shëndetësore.

“Gjykata e Apelit në Romë ka pranuar faktet e gjendjes së tij shëndetësore të rënduar dhe ka refuzuar në një farë mënyre kërkesën e autoriteteve shqiptare ekstradim. Italia e njeh gjendjen shëndetësore të rënduar dhe ka pezulluar ekstradimin. Çuditërisht gjykata shqiptare se njeh”, ka thënë avokati Hazizaj.

Ndërkohë, në Gjykatën e Lartë ka qenë dhe shefi i SPAK Arben Kraja. Ky i fundit ka përfaqësues strukturën që drejton, e cila e ka shpallur ish-kryeprokurorin në kërkim ndërkombëtar dhe kërkon që ai të vuajë dënimin faktik me dy vite burgim.

“Gjendja shëndetësore e Llallës është e njohur, por nuk është shkak për pezullim. Kjo gjendje ka qenë prej kohësh. Ka kryer funksione të larta dhe nuk është bërë pengesë sëmundja”, është shprehur Kraja, duke këmbëngulur në mospranimin e kërkesë së Llallës për pezullim të dënimit.

Pasi ka dëgjuar palët, në përfundim të seancës Gjykata e Lartë ka vendosur të refuzojë rekursin e ish-kryeprokurorit. Por, është e paqartë se çfarë do të ndodhë me ekstradimin e Adriatik Llallës, pasi ai ndodhet në Itali dhe afatet kanë kaluar.

Gjykata e Apelit të Romës i ka dhënë mundësi ish-kreut të akuzës shqiptare të qëndrojë në vend, por i ka bllokuar pasaportën që ai të mos largohet.