Gjykata njeh statutin e miratuar nga “11 Dhjetori”, Kaso: Juridikisht PD tashmë drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit.

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, ka folur pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, për të njohur Komisionin e Rithemelimit si organin drejtues të PD-së.

Kaso tha se që nga ky moment, Gjykata njeh logon e re të PD-së, dhe njeh Komisionin si organin e vetëm drejtues të partisë më të madhe të opozitës.

Kaso u shpreh se vendimi i Gjykatës është i padiskutueshëm dhe do të duhet të zbatohet.

Duke marrë parasysh statutin e 11 Dhjetorit, asnjë nga strukturat drejtuese të PD-së nuk do të njihen.

Kaso tha se një prej pikave të vendimeve të marra në datën 11 Dhjetor, është shpallja i paligjshëm i Kuvendit të 18 Dhjetorit, duke bërë të pavlefshëm edhe procesin gjyqësor që mund të ndiqet më tej sipas tij.

Juristi deklaroi se vendimi i ditës së sotme nuk mund të apelohet, pasi Komisioni i Rithemelimit, ishte e vetmja palë e interesuar në këtë çështje.

Ivi Kaso: Gjykata sot mori vendimin e paralajmëruar nga ana jonë, që në 11 Dhjetor, kur u mbajt Kuvendi i vërtetë i demokratëve.

PD i rikthehet sërish sot demokratëve, me logon dhe simbolet e reja, dhe për të marrë vendime të rëndësishme, siç ishte shkarkimi i kryedemokratit Lulzim Basha, mosnjohja e konfigurimit të Kryesisë, njohjen e Komisionit të Rithemelimit, si institucionin drejtues të vetëm të PD-së deri në Kuvendin e 30 Prillit. Është një vendimmarrje e vonuar, por më mirë vonë se kurrë.

Që nga data 11 Dhjetor ka vetëm një PD, nuk ka asnjë kërkesë të bashkimit të Kuvendit të Korrikut, me të 11 Dhjetorit. Ankimi i paraqitur nga përfaqësues pa tagër të PD-së për Kuvendin e Korrikut, nuk ndikon në asnjë rast te çështja e 11 Dhjetorit.