Elona Mihali do të jetë gjyqtarja që do të drejtojë çështjen për vulën e Partisë Demokratike. Shorti është hedhur mesditën e kësaj të premteje, për gjyqin e shumëpërfolur që do të vendosë se cili do të jetë drejtuesi i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.
Pjesë e trupës gjykuese bashkë me kryesuesen Elona Mihali do të jenë dhe gjyqtarët Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja.
Partia Demokratike është ndarë sot në dy fraksione, grupimi i Enkelejd Alibeaj dhe rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha. Aktualisht, vulën dhe logon e PD i ka në dorë Alibeaj, megjithëse prej një viti strukturat janë inekzistente dhe ai nuk futet fare në selinë blu. Kontrollin atje e ka grupi i Berishës.
Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, kryetar është njohur Sali Berisha, por ky vendim është ankimuar nga Enkelejd Alibeaj. Vendimi i shkallës së dytë bëhet ligjërisht i zbatueshëm, ndaj do të jetë Gjykata e Apelit ajo që do të japë vendimin se kujt i takon vula dhe logo e PD.
Nëse trupa e drejtuar nga Elona Mihali rrëzon vendimin e kolegut Agron Zhukri, atëherë grupimi i drejtuar nga Sali Berisha duhet të lirojë selinë, pasi kryetar i komanduar pas dorëheqjes së Lulzim Bashës është Enkelejd Alibeaj.
Por, nëse Gjykata e Apelit ia njeh vulën dhe logon fraksionit të drejtuar nga Sali Berisha, atëherë ky i fundit ligjërohet si kryetar i Partisë Demokratike. Po ashtu, në Kuvend dhe në institucionet e tjera ai do të njihet si kryetari legjitim i partisë më të madhe opozitare.
Situata politike brenda kampit opozitar i ka vështirësuar punën edhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Zvarritja e betejës ligjore mund të rrezikojë regjistrimin e PD në zgjedhjet e 14 Majit, me 6 marsin që është dita e fundit për regjistrimin e forcave politike në zgjedhje.
Komisioneri Ilirjan Celibashi paralajmëroi se para se të marrë një vendim mbi fatin e Partisë Demokratike, do të vlerësojë jo vetëm situatën juridike në regjistrin e partive politike por edhe vendimin e shkallës së parë që riktheu Sali Berishën në selinë blu.