Dy adoleshentë janë arrestuar nga policia e Korçës, ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim pasi rrahën me sende të forta një 14-vjeçar një ditë më parë. A.E., 17 vjeç dhe Dh.F., 15 vjeç, banues në Korçë u vunë në prangat e policisë. Kurse L.L., 16 vjeç është shpallur në kërkim.

Një ditë më parë ndodhi një sherr masiv mes disa adoleshenteve në qytetin e Korçës për motive banale.

Për shkak të sherrit një 14-vjeçar u godit me sende të forta në kokë nga personat e lartpërmendur. Ai u dërgua në spitalin e Korçës dhe më pas u dërgua për ndërhyrje të specializuar tek Trauma në Tiranë.

U sekuestruan nga policia edhe sendet me të cilat u godit adoleshenti, dy shkopinj druri dhe 1 shkop metalik.

Njoftimi i Policisë:

Korçë

Identifikohen 3 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Korçë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta u dëmtua me mjete të forta, një shtetas i mitur.

Vihen në pranga 2 prej autorëve, tjetri shpallet në kërkim.

Sekuestrohen tre shkopinj që janë përdorur nga autorët e dyshuar, gjatë konfliktit për motive të dobëta.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas një pune intensive hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 08.10.2023, në lagjen nr. 12, Korçë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, u dëmtua me mjete të forta, një 14-vjeçar, bënë të mundur identifikimin e 3 autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, 2 prej të cilëve janë shoqëruar dhe pyetur në praninë e psikologut, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.

Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasve A. E., 17 vjeç dhe Dh. F., 15 vjeç, banues në Korçë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. L., 16 vjeç, banues në Korçë.

Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga provat e siguruara rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë konfliktit, kanë goditur me sende të forta 14-vjeçarin, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, në kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre shkopinj (dy prej druri dhe njëri metalik), të cilët dyshohet të jenë përdorur nga autorët e ngjarjes, gjatë konfliktit.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Previous articleÇfarë po ndodh mes Izraelit dhe Hamasit? Nuk ndalen sulmet, përshkallëzohet situata
Next articleTempulli”/ Vihet në pranga një 28-vjeçari i shpallur në kërkim