Gramshi dhe monumentet  e natyrës rreth tij janë kthyer në një atraksion turistik për adhuruesit e natyrës dhe të aventurës.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri njëkohësisht drejtues politik i qarkut Librazhd ndau sot pamje nga rrethi i Gramshit, duke ftuar qytetarët ta vizitojnë atë.

“Javë të mbarë me këto pamje të mrekullueshme të pyjeve me dëborë dhe atraksioneve turistike të Gramshit, një destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar”, tha Gjiknuri.

Gramshi i ka të gjitha mundësitë dhe resurset turistike që  mund të shfrytëzohet për turizëm ditor. Me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore që kur kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni. Përballë të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor me ujërat e pastër mes dy faqeve malore. Nga diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.

Ka lokale, kampingje të ngritur nga turistë endacakë që preferojnë ta kalojnë natën në natyrë, por mbi të gjitha, ndesh dhe me derdhje lumenjsh që zbresin nga malet lindore të liqenit dhe derdhen në të.

Në Gramsh ka pika të tjera turistike si liqeni i Banjës, ku gjatë verës disa operatorë turistikë sjellin dhe kajakë, apo mjete të tjera lundruese, të cilat e bëjnë më tërheqës këtë liqen për t’u vizituar.

Një tjetër destinacion, është fshati Grabovë, një zonë e thellë e Gramshit, por me një histori të pasur.

Dy kishat orthodhokse, tri urat me harqe, pyjet dhe lëndinat e pafundme i japin fshatit një pamje përrallore. Pika të tjera të vizitueshme në rrethin e Gramshit janë dhe liqeni i Dushkut, shpella e Kabashit e disa pika të tjera me peizazhe natyrore të veçanta që gjenden në këtë zonë.