Biznesmeni Dritan Sula është kandidati i radhës i prezantuar nga Grupi Alibeaj, për një nga 61 bashkitë e vendit, për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Ai do të garojë nën siglën e kësaj force politike, për të qenë qytetari i parë i Dimalit.

Referuar jetëshkrimit të bërë publik nga PD, Dritan Sula thuhet se është diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, është një njeri aktiv në politikë dhe jetën e tij profesionale e shoqërore e ka të lidhur me vendlindjen.

Sula është aktiv në Partinë Demokratike që në vitin 1991 kur iu bashkua lëvizjes antikomuniste për rrëzimin e diktaturës, për të vijuar më pas me themelimin e PD në vendlindjen e tij, deri në drejtimin e degës së saj, funksion të cilin e mban dhe sot.

Dritan Sula me kandidimin e tij për bashkinë Dimal, synon që të jetë në shërbim të bashkëqytetarëve të vet duke ofruar një projekt konkret për të rikthyer bashkinë tek qytetarët, të cilët gjatë qeverisjes së Rilindjes janë nëpërkëmbur e lënë në harresë nga bashkia.