Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po vijon hetimet për lobimin e Ilir Metës në SHBA. SPAK i ka kërkuar bankave të dhëna për llogarit bankare të LSI dhe transaksionet e kryera drejt zyrave të lobimit.

SPAK i ka kërkuar KQZ pasqyrat financiare të depozituara nga LSI përgjatë fushatave elektorale pasqyra në te cilat raportohet edhe zërat e shpenzimeve lobim. Report Tv mëson se ky hetimet po dtejtohet nga vetë kreu i spak Arben Kraja dhe Prokurori Sotir Kllapi.

Dy ditë më parë i kërkoi KQZ formularin e vetëdeklarimit të Kreut të Partisë së Lirisë. Kërkesa e SPAK-ut vjen në kuadër të hetimeve për skandalin për lobim në SHBA me 700,000 mijë USD të padeklaruara. Kallëzimin e ka depozituar në SPAK ish deputeti Halit Valteri. Kallëzimi penal nga Valteri ishte rrjedhojë i investigimit të gazetës më të madhe austriake, “Kronen Zeitung“, e cila akuzoi se presidenti Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.

Meta po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Gjithashtu, Meta po hetohet edhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet nga 3 deri në 7 vite burg.

Konfirmohet lobimi 700 mijë USD

Disa dokumente të publikuara në media kanë konfirmuar vërtetësinë e artikullit të botuar disa ditë më parë nga gazeta austriake “Kronen Zeitung”, e cila denoncoi Ilir Metën dhe LSI-në se ka paguar 700 mijë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump, në vitin 2017.

Dokumentet e dorëzuara në autoritetet amerikane komprometojnë rëndë Ilir Metën dhe LSI-në. Kontratat konfirmojnë se Ilir Meta, në fillim të vitit 2017, ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania McKeon Group. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.

Po ku i gjeti Ilir Meta paratë për të kryer pagesat në janar-shkurt 2017 për kompaninë McKeon Group dhe 600 mijë euro për kompaninë “Dorelita Limited”? A i ka deklaruar Meta këto para në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive?

Ndryshe nga sa tregojnë dokumentet amerikane, në raportin e saj vjetor financiar për vitin 2017, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, LSI ka raportuar shpenzime për konsulencë dhe lobim në vlerën 3.3 milionë lekë. Konkretisht, LSI ka deklaruar në KQZ shpenzime konsulencë në vlerën 1,414,465 lekë me kompaninë JPM Strategic Solution LLc USA. Gjithashtu, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar në raportin financiar shërbime konsulence me kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1,942,500 lekë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me anë të një raporti, ka konstatuar se LSI nuk justifikon me burime të ligjshme të ardhurash as kontratën e dytë, atë me kompaninë MCKEON GROUP, me vlerë 1.9 milionë lekë.(Shqiptarja.com