Një 57-vjeçar që vuante dënimin në burgun e Berati ka gjetur vdekjen gjatë një operacioni në Senatoriumin e Tiranës.
Valerio (Vasillaq) Gërxhi ishte duke vuajtur dënimin në Burgun e Beratit, kur gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Beratit dhe më pas drejt Senatoriumit të Tiranës.
Mësohet se i burgosuri vuante nga mushkëria dhe ka gjetur vdekjen në sallën e operacionit gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.
57-vjeçari Valerio (Vasillaq) Gërxhi ishte dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Milanos në Itali për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe vendimi penal italian u njoh në Shqipëri, ku Gjykata e Apelit e dënoi atë me 5 vjet burg, të cilat më pas u shtuan në 7 vite burg nga një vendim i marrë nga Gjykata e Lartë.
Burime nga IEVP Berat bëjnë me dije se vitin e fundit i burgosuri kishte shfaqur probleme të shumta shëndetësore dhe merrte trajtim mjekësor.
Të njëjtat burime konfirmojnë se për shkak të problemeve shëndetësore ai kishte kërkuar edhe lirim me kusht por kërkesa e tij nuk ishte marrë parasysh.