Ibsen Elezi, kandidati përballë Sali Berishës në zgjedhjet për kryetarin e PD-së që pritet të mbahen më 22 Maj, ka shpalosur këtë të martë platformën e tij për tu zgjedhur në krye të PD-së.

Elezi u shpreh se vetëm rikthimi te vlerat konservatore e sjell Partinë Demokratike në pushtet. Gjatë fjalës së tij ai atakoi dhe Komisionin e Rithemelimit duke e cilësuar si një riofertë të modelit Basha me figura të vjetra.

Sipas tij ai është kandidati i duhur që mund të afrojë emrat të rinj intelektualësh në PD, që mund ta çojnë këtë forcë politike te fitorja.

“Platforma ime do të mbështetet në 2 kolona, zgjerimin e kësaj force politike dhe kthimin e saj te parimet dhe vlerat konservatore.

Teoria e zgjerimit mbështetet kryesisht në parimin e transparencës dhe proceseve me debat, te saktesuar me rregulla dhe vendosjen e standarteve konkrete.

Vendosja e standardeve për karrierë duke eleminuar kacavjerrjen dhe servilizmin. Shtrirja e përfaqësimit territorial që së fundmi është cënuar në mënyrë të dukshme. Hapja ndaj figurave publike dhe akademike të djathta të afirmuara për veprimtarine e tyre në opinionin publik.

Kthimi te parimet konservatore lidhet ngushtë me mbështetjen në vlerat më të mira tradicionale të kombit tonë, familja, liria dhe prona, të drejtat themelore të garantuara nga nje shteti i konsoliduar ligjor, ndërtimi i një lidershipi të qëndrueshëm, do jenë në themel të zhvillimit të platformës time.

Krijimi i një force politike si nje model i vërtet i respektimit te parimeve themelore demokratike do te ishte hapi i pari i ofrimit edhe të një modeli të ri qeverisje si antitezë e modelit neomarksist autokratik të Ramës, që në themel ka kontrollin e plotë të institucioneve dhe ekonomisë nëpërmjet sistemit mafioz-oligarkik të ngritur.

Modelit konservator si rruga e vetme që nga një shoqëri e hallakatur drejtë shpërbërjes të kthehemi në një shoqëri të mbledhur rreth boshtit të vlerave morale tradicionale.

Ndryshe nga modeli i rithemelimit qe po ju riofron modelin Basha dhe figura te diskretituara ne opinionin publik, une ju ofroj një rrugë të re me figura të reja politike që sjellin fitore.”, tha Elezi

Gjithashtu në fjalën e tij Elezi kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve me 14 ditë me qëllim që t’i jepet më shumë kohë për zhvillimin e fushatës.

“I kërkoj Komisionit të Rithemelimit për dakordësi me këto kërkesa, largimin nga Komisioni të Albana Vokshit dhe Enno Bozdos, si persona që kanë manipuluar votat, si dhe shtyrjen e zgjedhjeve me afat 14 ditor, me qëllim zhvillimin e takimeve të përbashkëta elektorale me debat përpara anëtarësisë, duke shmangur takimet me monologë”, tha Elezi.