Italia është eliminuar nga Maqedonia e Veriut në playoff-et për Katar 2022 dhe nuk do të marrë pjesë në Botërorin e dytë radhazi për herën e parë në historinë e saj. Një rezultat dramatik dhe befasues për Axurrët.

Giorgio Chiellini, kapiteni i kombëtares dhe Juventus-it, ka folur për RAI Sport në përfundim të ndeshjes.

“Është e vështirë të shpjegohet, mendoj se bëmë një ndeshje të mirë dhe e vetmja gjë që na mungoi ishte goli. Nuk besoj se dikush mund të thotë se ishim mendjemëdhenj”, ka thënë mbrojtësi veteran.

“Kemi bërë gabime që nga shtatori e deri tani dhe kemi paguar për këto gabime. Jam krenar për shokët e skuadrës dhe këtë grup. Natyrisht, jemi të shkatërruar, duhet të ngrihemi përsëri në këmbë.

“Kemi një boshllëk të madh brenda vetes dhe shpresojmë që ta na japë forcë për të ardhmen. Shpresoj që të jetë përsëri me këtë trajner, i cili ka dhënë kaq shumë për kombëtaren.

I pyetur në lidhje me vështirësitë e Italisë në sulm, Chiellini ka thënë:

“Nuk është se nuk krijuam raste, bëmë 32 gjuajtje në portë. Nuk rrezikuam pothuajse asgjë mbrapa. Ndoshta e kemi të vështirë ta lexojmë situatën nga brenda, por djemtë dhanë gjithçka dhe shpresonim te një rezultat tjetër”.

I pyetur nëse kjo ndaj Maqedonisë ka qenë ndeshja e tij e fundit me Italinë:

“Mendoj se duhet të luajmë ndeshjen e radhës, më pas do të shohim. Nuk është koha për këtë”.