Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është politika më e rëndësishme e BE. Këtë deklaratë zyrtari i lartë i BE e bëri para darkës joformale që ka organizuar me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor këtë të mërkurë.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e gjeografisë sonë dhe dëshirojmë të përballemi së bashku me veprimet përçarëse të Rusisë drejtpërdrejt në rajon përmes dezinformimit dhe sulmeve kibernetike”, tha Borrell para darkës.

Unë e mirëpres që shumica e partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor janë në përputhje të plotë dhe që nga dita e parë me përgjigjen e BE-së ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe u bëj thirrje të tjerëve ta bëjnë këtë. Shumica e kanë bërë, dhe po u bëj thirrje të tjerëve ta bëjnë”, theksoi ai.

“Takimi sonte do të ushqehet me angazhimin e vazhdueshëm me Ballkanin Perëndimor, i cili mbetet prioriteti ynë strategjik”, shtoi më tej zyrtari i BE.

Ndër të tjera Borrell tha se nuk ka hapësirë për cenim të sovranitetit, por edhe të unitetit e integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Do të duhet të jem shumë i sinqertë në këtë drejtim me zotin Dodik këtë mbrëmje”, deklaroi Borrelli.

Borrelli tha gjithashtu se sot bota është në një situatë krejtësisht të ndryshme që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u zhvillua takimi i fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Në shtator askush nuk mund të priste që ne do të jemi me një agresor, duke rikthyer luftën në Evropë dhe duke parë këtë ndikim shkatërrues të gjakderdhjes së pakuptimtë. Evropianët nuk e mbajnë mend luftën dhe tani e shohim luftën në kufijtë tanë”.

Lufta e fundit në Evropë ishte në Ballkan, tani është në Ukrainë dhe sot do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi ndikimin global dhe rajonal të kësaj lufte të Putinit, një luftë ilegale kundër popullit ukrainas dhe kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, theksoi Borrell.

Ai tha se dëshiron të diskutojë me “partnerët tanë më të afërt, gjashtë liderët ballkanikë se si mund t’i trajtojmë së bashku pasojat e kësaj lufte”.

“Si gjithmonë unë jam i etur të dëgjoj për shqetësimet e këtyre liderëve, duke pasur parasysh këtë situatë dhe mënyrën se si ta trajtojmë ndikimin negativ në luftën e Putinit për ushqimin, energjinë dhe stabilitetin në kontinentin tonë të përbashkët”, u shpreh ai.